SEO për dyqan online me suplemente: si e optimizuam DINORIOS (rast studimi)
Shumë dyqane online në Shqipëri ndërtohen me tema të gatshme WordPress dhe WooCommerce. Kur faqja hapet, produktet janë aty, por Google nuk e kupton gjithmonë se çfarë shet biznesi. Në këtë artikull ndajmë hap pas hapi si e punuam SEO për dyqan online te DINORIOS, një dyqan me suplemente profesionale për fëmijë dhe të rritur në Shqipëri.
Qëllimi ynë nuk ishte "të mbushnim faqen me fjalë kyçe". Qëllimi ishte që Google dhe klienti të kuptojnë menjëherë çfarë ofron dyqani dhe pse duhet të blejnë aty.
Pse SEO ka rëndësi për një dyqan online me suplemente
Kush kërkon suplemente në Google zakonisht ka një nevojë konkrete: imunitet, energji, gjumë, tretje ose suplemente për fëmijët. Nëse faqja jote nuk del në këto kërkime, klienti blen diku tjetër. Për këtë arsye, SEO për një dyqan online nuk është luks, por kanal shitjeje.
Për më tepër, temat shëndetësore janë të ndjeshme. Google kërkon përmbajtje të qartë, të strukturuar dhe të besueshme. Kjo do të thotë tituj të saktë, tekste të lexueshme dhe informacion që nuk mashtron.
Hapi 1: Konfigurimi i Yoast SEO për tregun shqiptar
Hapi i parë ishte plugin-i Yoast SEO. Shumë faqe e instalojnë, por e lënë me cilësimet standarde në anglisht. Ne bëmë këto rregullime:
- tituj dhe meta përshkrime automatike në shqip për kategoritë, markat, produktet dhe blogun;
- breadcrumbs në shqip ("Kreu" në vend të "Home"), që shfaqen edhe në rezultatet e Google;
- të dhëna të sakta për organizatën, logon dhe profilet sociale;
- heqja nga Google e faqeve pa vlerë, si etiketat bosh dhe arkivat e autorëve.
Hapi 2: Fokusi te fjalët kyçe që sjellin klientë
Një nga mësimet më të rëndësishme të këtij projekti: SEO fillon nga biznesi, jo nga plugin-i. Në fillim faqja kryesore theksonte kozmetikën. Pas bisedës me klientin u qartësua se fokusi kryesor janë suplementet për fëmijë dhe të rritur, ndërsa kozmetika është plotësuese.
Prandaj e ndryshuam titullin, përshkrimin dhe tagline-in e faqes që të flasin për suplementet. Ky është një gabim që e shohim shpesh: biznesi ka një prioritet, por faqja i komunikon Google-it diçka tjetër.
Hapi 3: SEO e faqeve kryesore
Çdo faqe e rëndësishme mori frazën e saj kryesore, titullin SEO dhe meta përshkrimin në shqip. Kjo vlen për faqen kryesore, dyqanin, markat, ofertat, programin e besnikërisë, kontaktin dhe blogun. Te faqja "Rreth Nesh" e rishkruam tekstin me shkronjat "ë" dhe "ç", shtuam nëntituj, linke të brendshme dhe një foto me tekst alternativ.
Shtuam edhe të dhëna të strukturuara (schema), si "About Page" dhe "Contact Page", që Google të kuptojë më mirë rolin e secilës faqe.
Hapi 4: Pastrimi i indeksimit dhe i sitemap-it
Temat e gatshme sjellin shpesh faqe demo dhe faqe teknike që nuk duhet të dalin në Google. Faqet e shportës, të pagesës, të llogarisë, listës së dëshirave dhe faqet e papërfunduara i hoqëm nga indeksimi. Kështu sitemap-i që lexon Google përmban vetëm faqet që kanë vlerë për klientin.
Hapi 5: Blogu, përkthimi dhe readability
Blogu kishte artikuj të vlefshëm për suplementet, por me probleme teknike: qindra paragrafë bosh, tituj të shkruar si tekst i thjeshtë dhe disa artikuj në anglisht. Ne bëmë këto ndryshime:
- përkthyem në shqip artikujt në anglisht;
- i kthyem titujt e shkruar si tekst në nëntituj të vërtetë H2 dhe H3;
- i ndamë paragrafët dhe fjalitë shumë të gjata;
- i kthyem rreshtat me pika në lista të vërteta;
- shtuam tekst alternativ për çdo foto.
Rezultati është i dukshëm edhe në Yoast. Artikuj si udhëzuesi për benefitet e kërpudhave medicinale te DINORIOS kaluan nga readability e kuqe ose portokalli në jeshile.
Hapi 6: Linke të brendshme drejt produkteve
Një artikull blogu që nuk çon askund është mundësi e humbur. Në çdo artikull lidhëm emrat e produkteve me faqet e tyre në dyqan. Kështu lexuesi kalon lehtë nga informacioni te blerja, dhe Google kupton lidhjen mes përmbajtjes dhe produkteve.
Çfarë mund të mësojë çdo biznes nga ky rast studimi
- Fillo nga prioriteti i biznesit. Fjalët kyçe duhet të pasqyrojnë atë që shet më shumë biznesi.
- Shkruaj për tregun shqiptar. Tituj në anglisht dhe tekst pa "ë" e "ç" e dobësojnë faqen.
- Pastro para se të shtosh. Faqet demo dhe faqet bosh i bëjnë dëm SEO-së.
- Struktura ka rëndësi. Nëntitujt, listat dhe paragrafët e shkurtër ndihmojnë si Google-in, ashtu edhe lexuesin.
- Lidh përmbajtjen me shitjen. Çdo artikull duhet të çojë te një produkt ose shërbim.
Dëshiron të njëjtën gjë për biznesin tënd?
Nëse ke një dyqan online ose një faqe biznesi që nuk del në Google, mund të fillosh me shërbimet tona SEO. Nëse dëshiron ta mësosh vetë, në trajnimin Marketing Dixhital & SEO të Impact Education punojmë pikërisht me këto hapa, me Yoast SEO dhe raste reale.