Sa Kushton SEO në Shqipëri? Çmimet dhe Çfarë Përfshihet
SEO është një nga shërbimet me çmime më të paqarta në tregun shqiptar. Ofertat shkojnë nga 100 deri në mbi 1,000 euro në muaj, shpesh për gjëra që tingëllojnë njësoj. Ky artikull ju jep orientimin real: nga çfarë varet çmimi, çfarë duhet të përfshijë një ofertë serioze dhe si të dalloni vlerën nga zhurma.
Nga çfarë varet çmimi
- Konkurrenca e fjalëve kyçe — të renditesh për "kurse durrës" është krejt tjetër gjë nga "kredi bankare";
- Gjendja aktuale e faqes — një faqe e re kërkon më shumë punë themeli sesa një e vendosur;
- Vëllimi i përmbajtjes — sa artikuj apo faqe duhen shkruar çdo muaj;
- Nëse përfshihet SEO teknik — rregullimi i shpejtësisë, strukturës dhe indeksimit;
- Ndërtimi i autoritetit — puna për linqe dhe përmendje është më e shtrenjta dhe më e ngadalta.
Modelet e faturimit që hasen
Audit njëherësh — një analizë e plotë me listë problemesh dhe prioritetesh. E dobishme nëse doni ta zbatoni vetë ose të kuptoni ku jeni para se të angazhoheni.
Mirëmbajtje mujore — modeli më i zakonshëm: punë e vazhdueshme me përmbajtje, optimizim dhe raportim. SEO nuk është projekt me fund; ndalimi pas dy muajsh humb çdo përparim.
Projekt me objektiv — p.sh. optimizimi i një grupi faqesh. Më i parashikueshëm në kosto, por pa vazhdimësi.
Me orë — për ndërhyrje specifike ose konsulencë.
Çfarë duhet të përfshijë një ofertë serioze
- Audit teknik fillestar me gjetjet me shkrim;
- Kërkim fjalësh kyçe të bazuar në kërkime reale, jo hamendje;
- Optimizim on-page: tituj, përshkrime, struktura, linqe të brendshme;
- Plan përmbajtjeje me tema konkrete dhe ritëm të përcaktuar;
- Raport mujor me pozicione, klikime dhe përshtypje nga Search Console;
- Akses te të dhënat — duhet t'i shihni vetë, jo vetëm në PDF-në e agjencisë.
Pika e fundit është vendimtare. Nëse s'keni akses te Google Search Console i faqes suaj, s'keni si ta dini nëse po paguani për punë reale.
Sinjalet e alarmit
"Garantojmë pozicionin #1" — askush s'e garanton dot; Google përdor mbi 200 faktorë dhe i ndryshon vazhdimisht. Çmim shumë i lirë me premtime të mëdha — zakonisht do të thotë linqe të blera, që sjellin ndëshkim. Raporte pa numra nga Search Console — grafikë të bukur pa burim të verifikueshëm. Refuzim për të shpjeguar çfarë bëhet konkretisht — SEO nuk është magji, dhe kush punon seriozisht e shpjegon me kënaqësi.
A ia vlen investimi?
Llogaria është e thjeshtë. Nëse një klient i ri ju sjell mesatarisht X lekë dhe SEO ju sjell tre klientë shtesë në muaj, krahasojeni me tarifën mujore. Për shumë biznese shërbimesh, mjaftojnë një ose dy klientë shtesë që investimi të lahet.
Avantazhi i vërtetë vjen me kohën: reklamat ndalojnë kur ndalon pagesa, ndërsa një artikull i renditur mirë sjell klientë për vite. Për ta kuptuar mekanizmin, lexoni çfarë është SEO dhe si funksionon.
Çfarë duhet të prisni muaj pas muaji
Një ofertë serioze duhet t'ju japë edhe pritshmëri kohore, jo vetëm çmim. Ja si duket zakonisht një angazhim i shëndetshëm:
- Muaji 1 — audit, rregullime teknike, optimizim i faqeve ekzistuese. Rezultate të dukshme: pothuajse asnjë. Kjo është normale;
- Muajt 2-3 — përmbajtje e re dhe struktura e linqeve. Nisin të rriten përshtypjet, klikimet ende pak;
- Muajt 4-6 — fjalët kyçe nisin të ngjiten në faqen e parë, klikimet rriten dukshëm;
- Muaji 6+ — efekti kumulativ: artikujt e vjetër vazhdojnë të sjellin trafik ndërsa shtohen të rinj.
Nëse dikush ju premton rezultate në muajin e parë, ose po flet për fjalë kyçe pa konkurrencë fare, ose po ju gënjen.
Alternativa: mësojeni vetë
Për një biznes të vogël me kohë në dispozicion, bazat e SEO-s janë plotësisht të mësueshme — dhe njohja e tyre ju bën klient shumë më të mirë edhe nëse më vonë delegoni. trajnim për digital marketing zgjat 30 orë praktike dhe mbulon të gjithë spektrin. Nëse preferoni ta delegoni, shihni shërbimet tona SEO — nisim me audit falas.
Pyetje të shpeshta
Sa duhet të zgjasë një angazhim SEO?
Minimumi i arsyeshëm është 6 muaj. Tre muajt e parë shkojnë kryesisht te themeli teknik dhe përmbajtja; rezultatet e dukshme vijnë zakonisht nga muaji i katërt e tutje. Angazhimet 1-2 mujore janë humbje parash për të dyja palët.
SEO apo Google Ads — ku t'i vë paratë?
Nëse ju duhen klientë këtë javë, Ads. Nëse ndërtoni për vitin që vjen, SEO. Shumica e bizneseve që rriten qëndrueshëm i kombinojnë: Ads për fluks të menjëhershëm, SEO për themel që nuk ndalon.
A mund ta nis vetë dhe ta deleg oj më vonë?
Po, dhe është rrugë e mençur. Plotësoni Google Business Profile, rregulloni titujt dhe nisni të shkruani për pyetjet e klientëve. Kur vëllimi ju kalon, dorëzojeni te dikush — por tashmë duke ditur çfarë të kërkoni.